AKDIE, është Agjencia e vetme e licensuar, për Administrimin Kolektiv të të Drejtave të Artistëve Interpretues/Ekzekutues në Shqipëri, me e licensuar për herë të parë në vitin 2008 dhe me licensë të rinovuar në mënyrë të vazhdueshme cdo tre vjet, kur është afati i vlefshmërisë sipas legjislacionit në fuqi.
Licensa fundit e vlefshme botuar në Fletoren Zyrtare nr.105 datë 17 korrik 2018.
Agjencia AKDIE, ka si qëllim të aktivitetit të saj, mbledhjen e të ardhurave nga subjektet përdorues të pronësisë artistike, muzikore dhe audiovizuale dhe shpërndarjen e tyre tek artistët interpretues/ekzekutues, të përdorur në një vit kalendarik, të cilët përfaqësohen prej saj nga kontrata individuale, nga ligji ose nga kontratat e përfaqësimit reciprok me Agjencitë e huaja simotra.
Agjencia e administrimit kolektiv të të drejtave të artistëve interpretues/ekzekutues, (në vijim AKDIE), si subjekt juridik, është i krijuar nga mbajtësit e të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura, që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre mbledhjen e të ardhurave për përdorimin e veprave dhe shpërndarjen e tyre tek titullarët e së drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të, e cila ka marrë licencimin nga ministria përgjegjëse për të drejtat e autorit pas propozimit nga Drejtoria e të Drejtave të Autorit.
Sipas përkufizimit të ligjit anëtarë të Agjencisë AKDIE janë:
“Interpretuesit dhe/ose ekzekutuesit”, sipas këtij ligji, janë aktorët, këngëtarët, muzikantët, valltarët, dirigjentët e orkestrave ose të korit dhe personat e tjerë, të cilët paraqesin, aktrojnë, këndojnë, recitojnë, luajnë, interpretojnë, ekzekutojnë, që drejtojnë një orkestër ose që shfaqin në mënyra të tjera vepra letrare dhe artistike, një shfaqje të çdo lloji, përfshirë format e shprehjes së folklorit, varietete, shfaqjet e cirkut ose shfaqjet me kukulla
Te drejtat pasurore te artistëve interpretues/ekzekutues janë:
- regjistrimin e interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre;
- riprodhimin e fonogramit ose videogramit me përmbajtjen e interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre;
- shpërndarjen e fonogramit ose videogramit me përmbajtjen e interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre;
- qiradhënien e fonogramit ose videogramit me përmbajtjen e interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre;
- huadhënien e fonogramit ose videogramit me përmbajtjen e interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre;
- importimin, për qëllime tregtare në tregun e brendshëm, të fonogramit ose videogramit me përmbajtjen e interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre;
- transmetimin e interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve dhe përcjelljen e tyre në publik me përjashtim të rasteve kur interpretimi dhe/ose ekzekutimi është fiksuar ose transmetuar më parë.
- Nëse regjistrimi/fiksimi është bërë në një fonogram ose videogram, interpretuesi dhe/ose ekzekutuesi ka të drejtën e përfitimit të një shpërblimi të përbashkët, të drejtë, për transmetimin dhe përcjelljet e tjera në publik të interpretimit dhe/ose ekzekutimit të tij. Shpërblimi i përbashkët, i drejtë, i përmendur në këtë pikë, të këtij neni, përbëhet prej shpërblimit të marrë nga përdoruesi i fonogrameve dhe që i përket interpretuesit dhe/ose ekzekutuesit dhe prodhuesit të fonogrameve;
- ritransmetimin kabllor të interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre;
- vënien në dispozicion në mënyrë ndërvepruese të fiksimeve të interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre.
- Interpretuesit dhe/ose ekzekutuesit kanë të drejtën e një shpërblimi të drejtë për riprodhimin e veprave të autorit për përdorim privat ose përdorim tjetër personal.
- Me përjashtim kur përcaktohet ndryshe në kontratën e prodhimit (produksionit audiovizual), interpretuesit dhe/ose ekzekutuesit, që marrin pjesë në prodhimin e një vepre audiovizuale ose në regjistrimin e fonogrameve të ndryshme, prezumohen se ia kalojnë prodhuesit të filmit, ekskluzivisht dhe pa kufizime, të gjitha të drejtat ekonomike të shfaqjes së tyre. Për çdo të drejtë ekonomike, e cila është kaluar sipas kontratës më sipër, interpretuesit dhe/ose ekzekutuesit do të gëzojnë të drejtën për përfitimin e shpërblimit të drejtë nga prodhuesi (producenti) i filmit. Interpretuesit dhe/ose ekzekutuesit nuk mund të heqin dorë nga e drejta e parashikuar.
Të drejtat e administrueshme në mënyrë kolektive vetëm nga AKDIE:
- të drejtën për përcjelljen në publik të veprave të fiksuara
- transmetimet e fonogrameve e të videogrameve të fiksuara;
- të drejtën e paraqitjes publike të një shfaqjeje të fiksuar;
- të drejtën e transmetimit dhe ritransmetimit të një shfaqjeje të fiksuar;
- të drejtën e vënies në dispozicion të publikut të një shfaqjeje të fiksuar;
- të drejtën e qirasë së shfaqjes së fiksuar dhe të drejtën për shpërblim,
- të drejtën për shpërblim për huazim publik të shfaqjes së fiksuar;
- të drejtën për shpërblim të riprodhimit të shfaqjes së fiksuar për qëllime private dhe përdorim personal;
- të drejtën për shpërblim suplementar vjetor.
KUJDES: Agjencia AKDIE, autorizon përdorimin e të drejtave të artistit, në rastet e përdorimit të një vepre të regjistruar tashme në një mbajtës zëri dhe figure. AKDIE nuk ndërhyn në marrëdhënien individuale të punës apo porosisë midis artistit interpretues/ekzekutues me prodhuesin e fonogramit/videogram, prodhues të veprave audiovizuale apo kinematografike.
TË DREJTAT që administrohen dhe ushtrohen nga AKDIE janë vetëm sipas ligjit dhe mbulojnë të gjitha rastet e përdorimit të të drejtave të artistëve interpretues/ekzekutues, përjashtuar rastet e kontratës së punës apo porosisë, si më sipër të përmendura.