Dënohet me 4 vite burg nga gjykata e rrethit Tiranë administratori i "Sigship"

V E N D I M
“NE EMER TE REPUBLIKES”
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
Kryesues Altin Abdiu
Anëtar Bujar Krasniqi
Anëtar Artan Gjermëni
asistuar nga sekretare gjyqësore Marjana Xhamallati datë 10.04.2014, përfundoi së shqyrtuari në seancë gjyqësore publike çështjen penale që u përket,

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, përfaqësuar nga prokuroria Elida Celami.

Të pandehur: 1. Ilir Muzhaqi, i biri i Qamil dhe i Feride, i dtl.06. 12.1968, lindur dhe banues ne Tirane, ne dresen Rruga “Siri Kodra”, banese private Nr.165, shtetesi dhe kombesi shqiptare, i martuar, i punesuar ne aktivitet privat, i pa denuar, arsimi i mesem, pa mase sigurimi, identifikuar me karte identiteti, administratori i Shoqerisë Tregtare “Sig ship” sh.p.k, nuk ka deshiruar avokat.

2. Personi Juridik Shoqeria Tregetare “Sigship”, sh.p.k Nr. Nipti K81318025M, me administrator Ilir Qamil Muzhaqi, Rruga e Kavajës, përballë me dyqanin Wolzvagen në krah të restorantit “Tush”, Tiranë, mbrojtur me Prokure te Posaçme nga avokati Gurazi Branko.

Akuzuar: Për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” në dëm të disa personave, me shume se nje here, parashikuar nga neni 143/2 i K.Penal.

Në konkluzionet përfundimtare prokuroria kërkoi :

1. Deklarimin fajtor të pandehurit Ilir Muzhaqi, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” me shume se nje here dhe ne dem te personave, parashikuar ne nenin 143/2 të K.Penal, dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtor të pandehurit Shoqeria Tregetare “Sig ship”, me Nr.Nipti K81318025M, me administrator shtetasin Ilir Muzhaqi, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” me shume se nje here dhe ne dem te personave, parashikuar ne nenin 143/2 të K.Penal, dhe neni 12 i Ligjit “Per pergjegjesine penale te personave juridik”, dënimin e tij me mbarimin e personit juridik, duke qene se eshte themeluar me qellim per kryerjen e vepres penale.

- Shpenzimet proceduriale ne ngarkim të pandehurit.

- I pandehuri Ilir Muzhaqi dhe perfaqesuesi i Shoqerisë Tregetare “Sig ship” sh.p.k, avokati Gurazi Branko, kerkuan: Pafajësi për akuzën e ngritur nga prokuroria.

Gjykata pasi shqyrtoi çështjen në tërësi,

V E R E N

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka paraqitur për gjykim çështjen penale ndaj të pandehurve Personi Juridik Shoqeria Tregetare “Sig ship” sh.p.k, me Nr.Nipti K81318025M dhe Ilir Muzhaqi, të akuzuar për kryerjen e vepres penale “Mashtrimi” në dëm të disa personave, me shume se nje here, parashikuar nga neni 143/2 i K.Penal.

Nga hetimi gjyqesor i çështjes e cila eshte ne juridiksionin dhe kompetencën e kesaj Gjykate, ka rezultuar e provuar se :

Zyra Shqiptare për të drejtat e autorit si dhe persona fizikë të ndryshëm që ushtrojnë aktivitete tregtare si bar kafe në qytetin e Tiranës, ku përdoret muzikë, nga viti 2008 e në vazhdim deri në vitin 2012 kanë bërë kallëzime penale, pasi Shoqëria “Sig Ship” sh.p.k me administrator shtetasin Ilir Muzhaqi, kryente aktivitet të paliçensuar nga Ministria e Kulturës. I pandehuri paraqitej në vendin ku ushtrojnë biznesin këto persona fizikë dhe u prezantohej atyre here si shoqëri që mbron të drejtat e autorit, here si përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, dhe here si inspektorë, duke i detyruar këto persona që të bënin pagesa të ndryshme parash, me pretendimin se duhet të paguanin një taks për përdorimin e muzikës, duke iu bërë presion se do të gjobiteshin në rast se nuk paguanin.

Kjo shoqëri rezulton të jetë e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe si aktivitet ka sigurimin e punës private të kompozitorëve, këngëtarëve dhe muzikantëve në fushën e muzikës si dhe mbrojtja e të drejtës së autorit në ambientet tregtare,ku ortak dhe administrator i vetëm është i pandehuri Ilir Muzhaqi.

I pandehuri në kuadër të ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm ka paraqitur tek personat edhe broshura të ndryshme ku prezantohet aktiviteti i shoqërisë që ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të autorit të personave fizikë shqiptarë ashtu edhe të huaj, ku zbatohen ligjet për të drejtat e autorit, sikur kjo shoqëri bashkëpunonte me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve duke mbledhur të ardhura në varësi të bizneseve sipas tarifave përkatëse. Ai për të krijuar bindjen, nënshkruante edhe kontrata me këto persona pas pagesave të bëra dhe njëkohësisht ka hapur edhe faqe website, ku rezulton të ketë marrëdhënie me drejtoritë e policive me qarqe dhe me prokurorinë e përgjithshme, në një kohë që nga shkresat e ardhura nga Drejtoritë e Policisë nëpër Qarqe,rezulton se ai nuk ka marrëdhënie bashkëpunimi.

Këto fakte rezultojnë të provuar nga procesverbalet e marrjes së dokumentave, nga personat që kanë punuar apo kanë patur në administrim subjekte tregtare ku kanë paguar edhe taksa, nga shkresat e dërguar nga drejtoritë e qarqeve dhe nga këqyrja e website-it të shoqërisë.

I pandehuri për të justifikuar këtë veprimtari ka lidhur disa kontrata me këngëtarë të ndryshëm ku merr përsipër të mbrojë të drejtat e tyre dhe në varësi të përfitimeve që do të nxirrte ai do t’i shpërblente ata. Ai ka paguar fillimisht disa këngëtarë dhe më pas, pavarësisht se ai ka siguruarr të ardhura nga ky aktivitet, nuk i ka paguar më këto këngëtarë.

Kontratat e lidhura ndërmjet tyre janë përdorur nga i pandehuri si gënjeshtër për të justifikuar veprimtarinë e tij dhe për të përfituar të ardhura.

Dëshmitarët Dorina Pinguli, Edison Cenaj, Arjan Caci, Nikolin Çaushaj, Enea Tola, Klodjan Shahu, Myrije Cara dhe Arjan Hasa, të cilët kanë qenë punonjës dhe administratorë lokalesh, kanë paguar në vite të ndryshme 2008 deri në vitin 2012 taksa për muzikën e Shoqërisë “Sigship” sh.p.k me administrator të pandehurin Ilir Muzhaqi.

Këta dëshmitare kanë dëshmuar ne gjykim se i pandehuri prezantohej si përfaqësues i Ministrisë së Kulturës, sikur ai ishte i liçensuar për të kryer këtë veprimtari, ose si inspektorë duke iu kërkuar atyre taksa të ndryshme për të drejtën e autorit. Ai u ka lëshuar atyre edhe faturat përkatëse.

Dëshmitarët Redon Makashi, Gjergj Jorgaqi, Kozma Dushi, Evgjeni Çuli, dëshmuan në gjykim se i pandehuri ka lidhur kontrata dhe ka marrë përsipër t’ju mbrojë të drejtat e autorit. I pandehuri do ti paguante ato sipas kontratave. Por i pandehuri ka bërë vetëm një ose dy pagesa, në fillim dhe më pas nuk i ka paguar më.

Në lidhje me këtë veprimtari janë marrë në cilësinë e proves materiale dokumentat që paraqiste i pandehuri dhe punonjës të shoqërisë “Sigshp” sh.p.k pranë subjekteve të ndryshme.

Sipas shkresës të QKR-së dhe organeve tatimore, ka rezultuar se Shoqëria “Sig ship” sh.p.k është e regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe është e pajisur me numër nipti ku bën edhe deklarim të ardhurash në organet tatimore, rrethana të cilat tregojnë se është konkretisht kjo shoqëri dhe i pandehuri që kryen aktivitetin, ku të ardhurat e siguruara nga ky aktivitet, janë të konsiderueshme në një kohë që i pandehuri nuk paguante këngëtarët.

Sipas shkresës Nr.2012/1 prot. datë 04.04.2012 të Ministrisë së Kulturës, ka rezultuar se kjo shoqëri nuk është e liçensuar për të ushtruar aktivitetin e mbrojtjes së të drejtave të autorit.

Nga Akti i Ekspertimit Vlerësues, date 20.11.2012, ka rezultuar se për vitet 2010 deri në vitin 2012, kjo shoqeri ka siguruar të ardhura nga subjekte tregtare, e persona të ndryshëm brenda Rrethit Tirane, në vlerën 5.334.182 lekë.

Në gjykim pala mbrojtëse kundërshtoi akuzën e ngritur, duke pretenduar se kemi të bëjmë me një mardhënie juridike civile, nuk egzistojnë elementet e veprës penale të mashtrimit.

Ekzisteca e fakteve penale dhe fajësia e të pandehurve, vërtetohet me këto prova të marra dhe të virifikuara në hetimin gjyqësor :

- Dëshmitë e dëshmitarëve ; Dorina Pinguli, Arjan Gaci, Edison Cenaj, Enian Tola, Nikolin Çaushaj, Myhrije Cara, Redon Makashi, Gjergji Jorgaqi, Evgjeni Çulli, Petrit Lulo, Kozma Dushi dhe Arjan Hasa.

- Procesverbale të marrjes së dokumentave të shtetasve ; Dorina Pinguli datë 11.01.2012, shtetases Gjurije Melani datë 27.02.2012, shtetasit Enian Tola datë 10.11.2008, Arjan Gaci, Edison Cenaj, të datave 14.11.2008, 21.11.2008, shtetasve Renata Ibrahimi, Arben Strunga, datë 16.12.2012.

- Shkresa të ardhura nga QKR-ja, Drejtoria Rajonale e Tatimeve, Ministria e Kulturës.

- Shkresa të ardhura nga Bankat në lidhje me llogaritë bankare të shoqërisë Sigship dhe shtetasit Ilir Muzhaqi.

- Procesverbal kontrolli, mbi bazën e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë datë 26.12.2012, dhe procesverbal sekuestrimi sendesh.

- Procesverbal këqyrje të dhënave në internet, datë 19.07.2012,

- Procesverbal këqyrje tek noteri, datë 19.09.2012,

- Akt Ekspertimi vlerësues.

- Akt Ekspertimit të kompjuterave.

Përsa i përket cilësimit juridik të fakteve penale.

Në nenin 143 të K.Penal me titull “Mashtimi”, është parashikuar se :

1- “Vjedhja e pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

2- Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjetë vjet dhe kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim nga dhjetë gjer në njëzetë vjet.”

Marrëdhëniet juridike në fushën e të drejtave të autorit dhe mekanizmat e mbrojtjes së tyre rregullohen në ligjin nr. 9380, date 28.04.2-005 “Për të drejtën e autorit dhe të drjetat e tjera të lidhura me të”, nenet 106 deri në nenin 109 të tij.

Neni 106 i Ligjit parashikon se:

“1. Titullarët e të drejtës së autorit dhe të të drejtave të lidhura me të ushtrojnë të drejtat që u jep ky ligj, në mënyrë individuale ose kolektive, nëpërmjet agjencive të administrimit kolektiv.

Të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të mbrohen nga vetë titullarët e këtyre të drejtave, nga një përfaqësues i këtyre titullarëve ose nga një agjenci e administrimit kolektiv, e zgjedhur prej tyre me vullnet të lirë”.

Nenet 107 dhe 108 rregullojnë agjensitë e administrimit kolektiv, ku thuhet se Agjencitë e administrimit kolektiv të të drejtës së autorit dhe i të drejtave të tjera të lidhura me të janë persona juridikë, që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre mbledhjen e të ardhurave për përdorimin e veprave dhe shpërndarjen e tyre tek titullarët e të drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të, të cilët ia kanë kaluar këto të drejta për administrim agjencisë.

Agjencitë e administrimit kolektiv janë organizata jofitimprurëse dhe liçensohen nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me propozimin e Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autorit. Forma e organizimit dhe funksionimi i tyre bëhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe dispozitat ligjore në fuqi për organizatat jofitimprurëse. Në rast mosliçensimi, kërkuesi ka të drejtën e ankimit, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Administrative të Republikës së Shqipërisë.

Nga dëshmitë e dhëna nga këngëtarë të ndryshëm, si Petrit Lulo, Kozma Dushi, Redon Makashi, Gjergji Jorgaqi rezulton se i pandehuri u është prezantuar atyre dhe iu ka propozuar që do ti mbrojë të drejtat e autorit duke lidhur kontrata me to dhe iu ka premtuar atyre se do t’iu japë të ardhura të tjera në varësi të përfitimeve që do të ketë.

Por i pandehuri duke shfrytëzuar këto kontrata të lidhura me këngëtarët pretendon se i mbron të drejtat e tyre duke qenë përfaqësues i tyre, në fakt ai ka përdorur gënjeshtrën, pasi i ka shfrytëzuar kontratat me qëllim “ligjërimin”e aktivitetit të tij, ku pasi iu ka dhënë atyre fillimisht shuma të vogla parash, pavarësisht se ka ushtruar aktivitet fitimprurës, nuk iu ka dhënë atyre shpërblimet e premtuara. Ai e ka shtrirë veprimtarinë e tij jo vetëm në mbrojtjen e të drejtave të këtyre autorëve me të cilat ka patur kontrata, por më gjerë, duke u paraqitur si shoqëri e liçensuar që mbledh taksata për të drejtat e autorit edhe nëpër subjekte ku përdorin muzikë të ndryshme nga ajo për ta cilat ka patur kontratat i pandehuri.

Kjo shoqëri pavarësisht se pretendon se është përfaqësuese e këngëtarëve, funksionon si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në një kohë që sipas ligjit duhet të funksiononte si agjensi e administrimit kolektiv domethënë si organizatë jofitimprurëse.

Në këto kushte, nga analiza e provave të mesipërme, Gjykata e gjen të drejtë akuzën e ngritur nga prokuroria, sepse të pandehurit me veprimet ekundraligjshme të kryera, kanë konsumuar plotësisht elementet e figurës se vepres penale “Mashtrimi” ne dëm të disa personave, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 143/2 i K.Penal.

- Objekt i kesaj vepre penale, jane marredheniet juridike te vendosura me ligj per te siguruar paprekshmerine e prones se individit, te mbrojtura posaçerisht me legjislacionin penal, nga veprimet ose mosveprimet kriminale.

- Nga ana subjektive kjo vepër është kryer me veprime aktive të të pandehurit, i cili ka krijuar shoqërinë “Sig ship” sh.p.k dhe nëpërmjet gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit,ka mashtruar dhjetra persona duke paraqitur rrethana të rreme, ka arritur t’u marrë shuma të konsiderueshme parash për të mos ja u kthyer më.

- Të pandehurit plotësojnë kriteret ligjore për te qënë subjekt i kësaj vepre penale.

- Nga ana subjektive vepra penale është kryer me dashje direkte me qëllim përfitimi material.

Nga sa u arsyetua më sipër, Gjykata i gjen te pabazuara pretendimet e mbrojtjes për mungesë të elementevetë vepres penale të mashtrimit, si dhe pretendimet se në rastet konkrete kemi të bëjme me mardhënie juridiko civile.

Në caktimin e llojit dhe të masës së dënimit, Gjykata ka parasysh:

Rrezikshmërinë relativisht e larte shoqërore të veprës penal, për të cilën ligjvënësi ka parashikuar një masë dënimi nga tre deri ne dhjetë vjet burgim.

Pasojat e ardhura janë të konsiderueshme, duke patur parasysh edhe gjëndjen ekonomike të të dëmtuarve.

Rrezikshmërinë relativisht e larte shoqërore të të pandehurve, të cilët kanë mbajtur qëndrim mohues.

I pandehuri Ilir Muzhaqi ka vepruar me vendosmëri dhe vazhdimësi në aktivitetin e tij kriminal, duke ushtruar veprimtarinë nga viti 2008 e në vazhdim. Ai nuk i ka normalizuar mardhëniet me të dëmtuarit.

Nisur nga rrezikshmeria shoqerore e vepres penale dhe e te pandehurve, shkalla e fajit, Gjykat çmon se i pandehuri Ilir Muzhaqi duhet denuar me 4 (katër) vjet burgim, per kryerjen e vepres penale “Mashtrimi” në dëm të disa personave, me shume se nje here, bazuar ne nenin 143/2 të K.Penal,

Ndërsa për sa i përket Shoqerisë Tregtare “Sig ship”sh.p.k, e cila rezultoi fajtor për veprën penale, parashikuar nga neni 143/2 i K.Penal, duke qënë se kjo është krijuar me qëllim kryerjen e kësaj vepre penale, bazuar ne nenin 12 të Ligjit “Per përgjegjësinë penale të personave juridik”, duhet vendosur mbarimi i saj dhe ndjekja e procedurave për likujdimin e detyruar nga organet kompetente sipas ligjit.

Meqenese te pandehurit rezultuan fajtor per kryerjen e vepres penale per te cilen akuzohen, ne baze te neneve 485, 393.2 te K.Pr.Penale, ata duhet te ngarkohen solidarisht me pagimin e shpenzimeve proceduriale.

PER KETO ARSYE

Gjykata në zbatim dhe të neneve 379 - 384, 390 të K.Pr.Penale

V E N D O S I :

1. Deklarimin fajtor të pandehurit Ilir Qamil Muzhaqi, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” në dëm të disa personave, me shume se nje here, bazuar ne nenin 143/2 të K.Penal, dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.

- Vuajtja e denimit per te pandehurin Ilir Muzhaqi te filloje nga dita e ekzekutimit te këtrij vendimi.

2. Deklarimin fajtor të pandehurit Shoqëria Tregetare “Sig ship” sh.p.k me numer Nipti K81318025M, me administrator shtetasin Ilir Qamil Muzhaqi, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” ne dëm të disa personave, me shume se nje here, bazuar ne nenin143/2 të K.Penal, dhe nenin 12 të Ligjit “Per pergjegjesine penale te personave juridike”, dënimin me mbarimin e personit juridik.

- Shpenzimet proceduriale u ngarkohen solidarisht të pandehurve.

- Kundër vendimit lejohet ankim brenda 10 diteve nga e nesermja e shpalljes ne Gjykaten e Apelit Tirane.

- U shpall në Tiranë, më datë 10.04.2014.

A N Ë T A R A N Ë T A R K R Y E S U E S

BUJAR KRASNIQI ARTAN GJERMËNI ALTIN ABDIU

S E K R E T A R E

MARJANA XHAMALLATI